Nga sherri Pogba-Rabio, tek lufta për himnin e Europianit, kombëtarja e Francës në telashe!

Kur fiton të duan të gjithë, por kur humbet gjithçka ndryshon. Në Francë të gjithë i druheshin një dështimi të kombëtares së futbollit në Europian, dhe tani që ndodhi pritet stuhi. Ndërsa ende nuk ka folur Marinë Lë Peni, shefja e Frontit Nacional, atij që quhet partia e skajshme e djathtë, ka shpërthyer një nënë futbollisti, mamaja e Adrien Rabiosë, Veronika. Ajo u përfshi në një sherr me babanë e Mbapesë duke i thënë që ta mësonte djalin që të ishte më pak arrogant.  Më herët, kishte sulmuar familjarët e Pogbasë pasi ky humbi topin në mesfushë dhe Zvicra kundërsulmoi duke shënuar gol.

Lajmet janë që tensionet në kombëtaren e Francës janë të larta, se lojtarët nuk e honepsin dot Mbapenë, dhe po ashtu janë të mërzitur me kufizimet e vendosura nga trajneri Deshamp. Gjithsesi, këto tensione pasqyrojnë edhe atmosferën rreth bluve në Francë. Për vite me radhë, kampionët e botës janë bërë objekt i një lufte politike mes të djathtës së skajshme të Lë Penit dhe presidentit Makron.

Të djathtët e skajshëm të Lë Penit i akuzuan lojtarët me origjinë jo franceze se nuk e ndjejnë fanelën dhe se nuk e këndojnë himnin, dhe se ekipi duhet të ketë emër tjetër, jo kombëtare e Francës. Nga ana tjetër Makroni i ka pritur në presidencë duke i lavdëruar, dhe i ka takuar edhe më vonë. Një nga më të sulmuarit ka qenë Karim Benzema, i cili mbeti për shumë vjet jashtë ekipit, veçse u kthye në Euro 2020 duke qenë lojtari më i mirë i ekipit.

Jo vetëm kaq, por Lë Pen ka sulmuar reperin Jusufa që ka krijuar himnin e Francës në këtë Europian, sepse nja 14 vjet më parë ai ka krijuar muzikë që nënkuptonte dhunë seksuale ndaj saj. Vetë Jusufa ka deklaruar se Lë Peni dhe partia e saj janë racistë, homofobikë dhe antisemitë. Një faqe që pritej e ndritur u mbyll keq për Francën, por duket se klima e helmuar rreth kombëtares nuk do të largohet aq lehtë.

Sfidanti.al