Zidan duhet të bëjë “nxemjen”, Franca mund ta largojë Deshampin

Momenti është i tillë që viti i fundit i kontratës mund të mos respektohet. Didie Deshamp është trajner i Francës deri pas Kupës së Botës 2022 në Katar, por eleminimi në raundin e dytë të Europianit ndaj Zvicrës, mund të bëjë që Federata të mendohet e të ndryshojë mendje. Nuk dihen pasojat financiare të një veprimi të tillë, por mediat në Francë, Spanjë apo Britani shkruajnë se kjo mund të ndodhë. Mediat shkruajnë se Zinedin Zidani duhet të nisë të bëjë “nxemjen”. Gjithsesi, Deshampi nuk deshi të fliste për të ardhmen e tij, ndërsa kishte të vështirë të ngushëllohej pas humbjes me zviceranët. “Një humbje që dhemb shumë, – ishin fjalët e tij, –  ne i kishim të gjitha mundësitë për të fituar, por gabuam në minutat e fundit.. Përgjegjësia për humbjet është e imja, por ne jemi skuadër e bashkuar. Sa për të ardhmen time, kjo nuk është çështja për t’u diskutuar”. Tashmë, Franca kthehet në shtëpi, ndërsa Zvicra luan çerekfinalen me Spanjën.

Sfidanti.al