Kampionati Europian i futbollit ka krijuar identikite të reja për klubet që duan të përforcohen. Dy prej lojtarëve më të kërkuar dhe që thuajse nuk njiheshin fare, janë Doniel Malen i Holandës dhe Atila Salai i Hungarisë. Maleni është një sulmues 22-vjeçar që luan për PSV Ajndhovenin, ndërsa kartoni i tij thuhet se vlen rreth 40 milionë euro. Ai shkëlqeu në ndeshjen e grupit të Holandës ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa krijoi edhe një rast të madh ndaj Çekisë. Arsenali e Liverpuli janë klubet në Angli që e duan.
Po në Angli pëlqejnë edhe Atila Salain e Hungarisë. Ai është 23 vjeç dhe luan në qendër të mbrojtjes hungareze, duke u vlerësuar për qendrueshmërinë dhe nivelin e treguar. Futbollisti i Fenerbahçes kërkohet në Premier Ligë nga Aston Vila, Leisteri dhe Uest Hemi, ndërsa kartoni i tij besohet se arrin në 26 milionë euro.
Sfidanti.al