Kjo Danimarkë e Eriksenit na kujton Danimarkën e “plazhit” që fitoi Euron në 1992!

As nuk duhej të kishin marrë pjesë atëherë, ndonëse skuadra ishte e mirë. Futbollistët e kombëtares së Danimarkës në 1992 sapo kishin mbyllur sezonin me klubet e tyre dhe kishin prenotuar pushimet nëpër plazhe, kur morën një lajm urgjent. “Mblidhuni në qendrën stërvitore se do të nisim përgatitjet për Kampionatin Europian”, – thuhej në njoftim. Çfarë kishte ndodhur? Jugosllavia, fituese e grupit eleminator ku kishte qenë edhe Danimarka, sapo ishte përjashtuar nga Europiani për shkak të shpërthimit të luftës në Kroaci e më pas në Bosnjë-Hercegovinë. Danezët, të udhëhequr nga portieri Peter Shmajkel, shkuan në Suedi dhe fituan titullin pasi mundën me fat Gjermaninë 2-0 në finale.

Mos vallë kjo Danimarkë e sotme do të shkaktojë një tjetër të papritur të madhe? Ata kanë arritur në çerekfinale, pas fitores 4-0 ndaj Uellsit, dhe duket se kanë gjetur një motiv edhe më të madh sesa në 1992, ata po luajnë për shokun e tyre, Kristian Eriksen, që mrekullisht shpëtoi pa vdekur në fushë në ndeshjen e parë në grup ndaj Finlandës. Kasper Dolberg, sërish Kasper Dolberg, Joakim Mehle dhe Martin Breithuejt ishin autorët e golave në këtë sukses të madh që i dha fund shpresave të Uellsit për të arritur sërish gjysmëfinalen si në 2016. Mos vallë, danezët do t’ia dalin përsëri?

Sfidanti.al