Si do të luante Flik ndaj Anglisë? Me Goreckën! Kros ose Gyndogan, në stol!

Një analizë në “Bild” thekson se formacioni me të cilin Gjermania e mbylli ndeshjen ndaj Hungarisë u duk sikur nuk ishte gjykimi i trajnerit Joakim Lëv, por i pasardhësit të tij, Hansi Flik. Të kuptohemi, nuk është se Lëvi kërkoi ndihmë nga Fliku, apo ky “i fryu në vesh” apo “i futi miq” në kombëtare. Zgjedhja logjike bëri që Lëvi të afrohej me stilin e Flikut dhe analisti Matias Brygelman thekson se në fushë ishin Kimih e Gorecka si “motor” në mesfushë, Musiala në rol driblues dhe Myleri si “trazovaci” mes reparteve. Me këta lojtarë dhe këtë vendosje, Fliku fitoi 7 tituj në 19 muaj tek Bajerni, ndërsa deri tani Lëvi është në rrezik që të mos arrijë deri në çerekfinale të Europianit. Brugelmani këshillon trajnerin aktual që të bëjë zgjedhjet e duhura ndaj Anglisë në “Uembli”, dhe të luajë pikërisht me këtë vendosje që e shpëtoi ndaj Hungarisë. Gorecka, pra duhet të jetë titullar, që do të thotë se në stol do të uleshin ose ylli i Mançester Sitit, Ilkai Gyndogan, ose kampioni i botës i Realit të Madridit, Toni Kros.

Sfidanti.al