Kohët janë të vështira dhe mezi po paguhen rrogat e po respektohen kontratat. Nuk është habi pra që klubet kërkojnë vetëm para në dorë për transferimet, siç bën Dortmundi për Sançon, dhe siç këmbëngul Sasuolo për Manuel Lokatelin. Juventusi, që është jo vetëm i interesuar por ka nisur bisedimet, e ka të qartë se do të duhet ndoshta të paguajë 40 milionë euro për kartonin e të mos bëjë naze. Edhe pse “Zonja e Vjetër” ka ofruar një lojtar të ri, që mund të jetë Dragushin, Faxholi ose Feliks Korreia, sërish ndoshta Sasuolo nuk do të pranojë vlerësimin 10 milionë euro për kartonin e secilit prej tyre. Mbetet formula e përdorur për Federiko Kiezën, pra huazim prej 2 vjetësh, për të dhënë paratë deri në 2023. Kjo formulë do ta ndihmonte klubin piemontez që të shtrinte në kohë pagesën prej 40 milionë eurosh, dhe Sasuolos do t’i garantonte shumën e pretenduar.
Sfidanti.al