“Një për të gjithë, të gjithë për një”, është një shprehje që është përdorur shpesh dhe herët, dhe jo vetëm nga socialistët apo komunistët. D’Artanjani e kishte të vetën, por po kështu besohet se e ka edhe Zinedin Zidan. Trajnerit të Realit nuk i dhemb koka që Kristiano Ronaldo mund të mos jetë aq vendimtar sa më parë (të mos harrojmë, sot është 32 vjeç), për aq kohë sa skuadra e tij fiton. Madridi la pas disa ndeshje të pakënaqshme, duke arritur një fitore “kumbuese” ndaj Sociedadit.
Kroati Mateo Kovaçiç, i përzgjedhur si titullar, tregoi se vlen për Realin duke shënuar për kënaqësinë e tifozëve në “Bernabeu”, që këtë herë nuk vërshëllyen yjet e tyre. Me të nisur pjesa e dytë, Ronaldo e shënoi golin e tij, ndërsa shfaqjes i dha fund Alvaro Morata në 82’. Reali kryeson kampionatin me 46 pikë, katër më shumë se rivalët më të afërt, Barcelona e Sevilja, të cilët gabuan këtë javë (Sevilja u mund). Skuadra e Zidanit ka edhe një ndeshje për të luajtur në fushën e Valencias, dhe po i afrohet titullit të dytë kampion në 9 vitet e fundit në Spanjë.