Ishte një moment kur Portugalia po kryesonte 1-0 ndaj Gjermanisë në Mynih, dhe superylli i saj bëri një veprim teknik, që u ndoq nga një gjest me domethënie. Fillimisht, Kristiano Ronaldo kaloi topin me thembër mbi kokën e mbrojtësit gjerman, Rydiger, dhe më pas vendosi dorën në faqe, duke u shprehur i habitur me veten dhe me mbrojtësin e Çelsit “që e hëngri rrengun”. Kjo nuk i shpëtoi analistit të sotëm të futbollit, ish-lojtarit të Gjermanisë, Bajernit, e Liverpulit, Ditmar Haman. “Ronaldo u duk pak si budalla për atë gjest duke pasur parasysh përfundimin e ndeshjes, – tha Hamani për RTE-në, – mendoj se kjo gjë nuk ka kuptim. Natyrisht, veprimi teknik është i shkëlqyer dhe ne e dimë që ai mund ta bëjë, por më pas ai sikur vuri në lojë kundërshtarin, duke e ulur atë. Ai është më i miri bashkë me Mesin, por nga 1-0 ndeshja mbaroi 4-2. Nëse do të pyesësh lojtarët gjermanë se çfarë mendojnë, do ta kuptosh”.
Sfidanti.al