Jang e Bogdanoviç ngrenë “murin” e Atlantës ndaj Embijdit dhe Filadelfias!

Lojtari më i mirë i vitit u eleminua nga plej ofi, mund të themi para kohe, ndërsa një tjetër kandidat as nuk arriti të hynte. Nga treshja e përzgjedhur nga tifozët dhe mediat, vetëm Xhoel Embijd ka mbetur në garë për titullin, pas “rënies” së Nikola Jokiçit dhe Stefën Kërrit, por duket se edhe ylli i Filadelfias nuk do ta ketë të lehtë. Basketbolli është loja kolektive, dhe plej ofin në NBA e fiton ekipi më i fortë. Në ndeshjen e fundit, Atlanta u tregua më e fortë se Filadelfia, ndërsa Embijd u mbulua fort dhe nuk u lejua të shënonte më shumë se 17 pikë. Një mbrojtje skuadre, jo vetëm ndaj shtatlartit, por edhe ndaj asistuesve të tij, bëri që Atlanta të realizonte një detyrë shumë të vështirë, të fitonte 103-100 dhe të barazonte serinë gjysmëfinale në 2-2. Për fituesit, më të mirët ishin Trej Jang me 25 pikë dhe Bogdani Bogdanoviç me 22. Ky i fundit, ndoshta dëshiron të thotë se Serbia do ta ketë një përfaqësues të denjë në NBA, edhe pas eleminimit të Denverit dhe Jokiçit.

Sfidanti.al