Edhe ti “Brut”? Platini “i ngul thikën pas shpine” UEFA-s, “voton” Superligën!

Ish-ylli i madh i Francës dhe i Juventusit, legjenda e futbollit botëror, dhe ish-president i “qeverisë europiane të topkëmbës” ka peshuar rëndë në favor të klubeve rebele, pra të Superligës Europiane. Mishel Platini është shprehur me vlerësime për projektin e dështuar (deri tani) të 12 klubeve kryesorë të kontinentit (por, jo  të Bajernit, Dortmundit dhe Paris SG), edhe vetë UEFA është kthyer në armike të tërbuar të presidentëve rebelë. “Ky konflikt më bën të qesh, – tha Platini, – klubet kanë 50 vjet që përpiqen të ndryshojnë formulën dhe këtë herë thuajse ia arritën”.

“Pati një reagim të tifozëve dhe mediave që arritën atë që nuk e bëri dot UEFA, të bashkojë klubet e tjera, – vazhdoi francezi, – Klubet kanë të drejtë të luajnë në turnetë që krijojnë vetë, jo vetëm në Champions apo në manifestimet e UEFA-s dhe të FIFA-s. Në fund të fundit, para 60 vjetësh, ishte “L’Ekip” që pati idenë e Kupës së Kampionëve të Europës”. Gjithsesi, Platini është kundër një Superlige si ajo që propozuan klubet kryesore, pa rënie nga kategoria dhe pa ngjitje. “Nuk më pëlqen që renditja të krijohet pa e fituar të drejtën në fushë, – deklaroi ai, – pa drojë e them se unë votova në 1992 kundër formës aktuale të Championsit”.

Sfidanti.al