Një sezon i suksesshëm nuk do të thotë se gjithçka do të ecë vaj. Vllaznia e Shkodrës, pavarësisht fitoreve në fushën e lojës, do të duhet të presë ende për të mësuar sesi do të privatizohet klubi dhe cilët do të jenë aksionerët e rinj. Procesi i privatizimit është pezulluar pas ankimit të kandidatit, Almiro Gurakuqi. Ky i fundit, i skualifikuar nga komisioni përkatës në Bashkinë e Shkodrës, ka bërë ankimimin në Komisionin e Prokurimit Publik në Tiranë, dhe institucioni qendror ka informuar pushtetin lokal se duhet për momentin të ndërpresë çdo veprim.
Pezullimi do të vazhdojë me gjasë deri në 10 ditë, aq sa është afati i Komisionit të Prokurimit Publik për të dhënë vendim. Burime pranë Bashkisë së Shkodrës bëjnë me dijë se z. Gurakuqi pati mangësi në kërkesën e tij, duke shënuar një shumë financiare më të vogël sesa pragu i ankandit, që ishte rreth 50 milionë lekë të reja. Për momentin, kandidat i vetëm për të blerë aksionet është sponsori i tanishëm, Alban Xhaferi, ndonëse sponsorizim për Vllazninë ka dhënë edhe kompania Krako.
Në Shkodër ekzistojnë dyshime se ka pasur tentativë për të hyrë në procesin e privatizimit nga kompani të dyshuara si të lidhura me grupe kriminale. Njësia e Ankandit në Shkodër ka skualifikuar dy prej kandidatëve, Almiro Gurakuqin dhe Emiliano Zhupën që përfaqësonte kompaninë “Joni 5 shpk”.
Sfidanti.al