Të shikosh Kombëtaren 90 minuta është bërë një sprovë e fortë durimi! Bilanci i ndeshjes së fundit, asaj me Uellsin, është pwr Ginesin e zi : vetëm një aksion në 90 minuta, dhe zero gjuajtje në portë! Ka dhe një bilanc tjetër që ngjalli dyshime : futbollistët tanë ishin te etur për të marrë kartona tw verdhë derisa arritën në kuotën e 7 kartonave. Ata që njohin lëkurën dhe veset e ekipit tonë Kombëtar, kanë bërë një pyetje të tipit pickuese : përse futbollistët tanë veshën petkun e “njeriut me nerva” !?
Përse Gjimshiti na shfaqet para syve si një i fortë që godet me kokë, krejt ndryshe nga Gjimshiti “Italian”, i pastër dhe i fortë me këmbë dhe jo trimosh për të goditur me kokë. Një gjest që ngjall dyshime të reja, por dhe të vjetra, sidomos kur kujton një budallëk “gur themeli”, skenën e goditjes me kokë, pa pikë arsye, të portierit Berisha me Izraelin, kur doli si “hero” me karton të kuq…
Kjo ndeshja me Uellsin ishte shumë e varfër në lojë sulmuese, por ishte shumë e pasur, tamam si një hambar, jo vetëm në lojën në mbrojtje, por edhe në lojën “jashtë fushe”. Botës i erdhi për mbarë ta trajtonte rënien e “babushit Edi Reja ” si lajmin më të madh në një ndeshje të vogël , duke kultivuar idenë se vetëm këmbët mund ta tradhëtojnë trajnerin më të moçëm te ekipeve përfaqësuese ne Europe. E vërteta që nuk mbulohet dot është se Kombëtarja jonë është rrëzuar me kohë dhe kjo që pamë me Rejën, duket si zbatim i atij rregulli të vjetër detar që pasi mbytet anije, në fund, mbytet edhe kapiteni i anijes. Një “kapiten” që nuk ngopet kurrë duke bërë ndryshime lojtarësh , që zbulon “talente të reja” dhe harron shpejt talentet e zbuluar më parë, duke e turbulluar aq shumë “detin kuqezi”, tamam siç duan “ujqërit” (shefat)…mjegullën !
Sfidanti.al