Historia do të flasë për Serena Uilliamsin. Tenistja amerikane, që hyri në majë të gishtave në botën pak si shumë aristokrate të këtij sporti, tashmë është mbretëresha, madje duke pasur motrën si “shoqëruese të parë”. Vajza nga Miçigani kaloi shumë vështirësi, ndonëse racizmi ishte luftuar me kohë në tenis, dhe askush nuk do ta mendonte se ajo do të tejkalonte shkëlqimin e të madhes Stefi Graf (apo Shtefi, siç e thonë gjermanët).
Suksesi në finalen e Australian Openit i dha titullin e 23-të Grand Slem në karrierë, një më shumë se Grafi, dhe një më pak sesa rekordmenia e të gjitha kohëve, Margaret Kërt. Në moshën 35-vjeçare ajo u bë më e vjetra teniste që e fitonte një turne të Çmimit të Madh, ndërsa triumfi në Melburn ndaj motrës Venus do të thotë se Serena do të kthehet përsëri në krye të renditjes botërore të femrave, duke zbritur nga piedestali gjermanen Anzhelikë Kerber.
Serena, që u mund vjet në finale nga Kerber, ia doli ndaj motrës së saj të dashur me rezultatin 2-0 me sete (6-4, 6-4), pas 82 minutash lojë. Nuk ishte e lehtë për veteranen të luante ndaj njeriut të gjakut të saj, veçse ishte një tjetër provë se viti i vështirë 2016 është lënë pas. Jo më kot, gjatë gjithë Australian Openit, Serena nuk humbi asnjë set.
Sfidanti.al