Do të ketë lojtarë të sprovuar, por edhe prova. Të tillë e ka menduar trajneri Edi Reja miqësoren e sotme ndaj Uellsit në Kardif. Kombëtarja shqiptare zbret në fushë në orën 18:00, dhe në formacion do të ketë disa ndryshime, ndonëse reparti i mbrojtjes nuk pritet të provojë lëvizje. Në mungesë të titullarëve Berisha e Strakosha, në portë do të jetë Gentian Selmani, ndërsa në mbrojtje besohet të luajë treshja e sprovuar Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti. Në krahë, Doka mendohet në të djathtë, ndërsa një i sprovuar si Lenjani është djathtas, me qendrën e mesfushës që ka përfshirjen e Çekiçit, në krah të Bares e Abrashit, që është kapiten. Në sulm, provohet dyshja Balaj-Manaj.
Ndaj Uellsit kemi gjithsej tri ndeshje, nga të cilat dy për eleminatoret e Europianit dhe një miqësore. Në 1994 dhe 1995 luajtëm dy herë për Europianin me Uellsin që fitoi 2-0 në Kardif dhe me barazimin 1-1 në Tiranë. Në nëntor 2018 u luajt miqësorja në “Elbasan Arena” fituar 1-0 me golin e shënuar me penallti nga Bekim Balaj, sulmuesi që pritet në fushë edhe sot.
Uellsi luajti pak ditë më parë miqësoren në Paris ndaj Francës duke humbur 0-3. Mbrojtësi Uilliams doli me karton të kuq, portieri Uord bëri mrekulli duke pritur penallti ndaj Karim Benzemasë, por kampionët e botës triumfuan në epërsi numerike me golat e shënuar nga Kilian Mbape, Antuan Grizman dhe Usman Dembele. Uellsi është i kualifikuar për në finalet e Europianit, dhe do të ndeshet me Zvicrën, Turqinë dhe Italinë, ndërsa sonte do të hedhë në fushë edhe yllin kryesor, Garet Bejl.
Formacioni i mundshëm (3-5-2): Selmani – Ismajli Kumbulla Gjimshiti – Doka Çekiçi Bare Abrashi Lenjani – Manaj Balaj. Tr. Reja
Sfidanti.al