Luka Donçiç është “shpresa e të bardhëve”, do të thoshte Xhek London!

Më shumë se 100 vjet më parë, shkrimtari Xhek London shkroi një novelë për një boksier meksikan, që u quajt “Shpresa e të bardhëve”. Me gjasë, personazhi i vërtetë që i afrohet më shumë personazhit të krijuar nga letrari i madh amerikan është Luka Donçiç, basketbollisti i lindur në Slloveninë e vogël, e që duket i paracaktuar për të sunduar skenën e madhe të NBA-së. Në një ligë të dominuar nga basketbollistët me ngjyrë, 22-vjeçari slloven po kthehet gjithnjë e më shumë në një pikë referimi, siç e tregoi në ndeshjen e pestë të raundit të parë të plej ofit mes Klipersave e Dallasit.

Ai udhëhoqi ekipin nga Teksasi drejt një fitoreje të madhe jashtë fushe, në arenën e famshme “Stejpëll Sentër” në Los Anxhelos. Shifrat ishin 105-100 dhe Donçiç shënoi 42 pikë duke shtuar 8 topa në tabela e 14 asistë. Falë tij, shokët e skuadrës si Marjanoviç, Porzingis, Fajni-Smith, Pauell e sidomos Hardëuej goditën shpesh koshin e Klipersave. Shkëlqimi i 22-vjeçarin ndodhi në një Arenë që ka qenë shtëpia e legjendave si Uilt Çembërlen, Karim Abdul Xhabar, Mexhik Xhonson, Kobi Brajant, Shakill O’Nill e tani Lebron Xhejms.

Me një shtatlartësi normale 2.01 metra, dhe me një fizik aspak të jashtëzakonshëm, Donçiç ia ka dalë ndaj rivalëve shumë më të gjatë dhe më të fuqishëm fizikisht e atletikisht. Inteligjenca dhe vizioni tij për lojën janë në nivele të tilla që shumë pak yje në NBA mund të pretendojnë se i kanë. Ndoshta, vetëm një Lebron Xhejms mund të bëjë më shumë, edhe pse kundërshtarët e tjerë quhen Antetokumbo, Durant e Harden, si dhe ata që pati përballë në këtë ndeshjes, Leonard e Pol Xhorxh.

Bashkë me Nikola Jokiçin e Denverit, ata formojnë dyshen e shpresave nga hapësirat e ish-Jugosllavisë, shtetit të basketbollit të madh në Europë. Dallasi kryeson 3-2 serinë e plej ofit ndaj Klipersave, dhe është favorit për t’u kualifikuar, ndërsa Donçiç mund të jetë lideri që ta çojë drejt titullit në NBA më shpesh sesa legjenda e mëparshme, Dirk Novicki.

Sfidanti.al