Superliga nuk prish traditën, jemi të fundit në Europë edhe për shitjen e emrit!

Për herë të parë do të ketë ndryshim të emrit. Superligë apo Ligë Superiore, elita e futbollit shqiptar do të ketë një shtesë tjetër në identitetin e saj, dhe kjo shtesë quhet Abisnet. Kompania e shërbimit të internetit, me emrin e plotë “Abisnet sh.a”, fitoi tenderin e organizuar nga Liga Profesioniste e Futbollit, duke sjellë një risi në topkëmbën e vendit tonë. Abisneti do të paguajë, sipas kontratës, 54 milionë lekë në 3 sezone, që do të thotë 18 milionë lekë të rinj në vit. Liga Profesioniste njofton se në ankandin për shitjen e emrit të Superligës mori pjesë edhe Banka OTP Albania, ndërsa vlera fillestare ishte 50 milionë lekë.

Futbolli shqiptar ka qenë në prapambetje në këtë aspekt në krahasim me rajonin, për të mos folur me Europën. i tillë ka qenë edhe vonesën për themelimin e ligës profesioniste, dhe për faktin se deri në fund ajo ka vazhduar të sillet si “levë” e Federatës. Kosova nënshkroi në gusht 2018 kontratë 2-vjeçare me kompaninë Ipko, ndërsa pritet të ketë sponsor të ri, ndërsa klubet e Kosovës kanë qenë gjithnjë më korrekte sesa ato të Shqipërisë në pagesën e kontratave për lojtarët dhe trajnerët.

Këto janë të ardhura të tjera për Superligën, të cilat u shtohen të ardhurave nga shitja e së drejtës televizive, që arrin në 600 000 euro në sezon, ndërsa shifrat në vendet e rajonit janë krejt të ndryshme. Liga e Parë e Kroacisë, p.sh. kontratën e vjetër të së drejtës televizive e kishte 1.5 milionë euro në sezon, ndërsa tani duket se do të shkojë deri në 10 milionë euro.

Sfidanti.al