Duhej të kishte qenë ndeshja e Mjeshtrit, por ndodhi ndryshe. Një djalosh 24-vjeçar si Devin Buker i dha leksion “Mbretit të Basketbollit”, Lebron Xhejms, në nisje të fazës së plej ofit në NBA. Ylli tepër simpatik i Feniksit ndihmoi ekipin e tij të mbronte faktorin fushë, dhe të fitonte ndeshjen e parë të raundit të parë ndaj Lejkërsave. Suksesi ishte 99-90 dhe ekipi me emrin Sans, pra Diejt, ishte gjatë gjithë kohës në avantazh, ndonëse jo i shkëputur përfundimisht. Buker shënoi 34 pikë, duke vendosur rekordin si lojtari i Feniksit me më shumë pikë në debutimin në plej of. Ai pati edhe 7 topa në tabela e 8 asistë, ndonëse bëri disa gabime duke e humbur topin plot 6 herë.
Ishte një përballje që u fitua më shumë nga mbrojtjet sesa nga sulmi, ndryshe nga stili standard i basketbollit amerikan që favorizon spektaklin. Lebron Xhejmsi, në moshën 36-vjeçare, hyri në plej ofin e 18-të në karrierë me synimin për të fituar titullin e 5-të kampion në NBA. Ai iu afrua një tripëll dabëlli me 18 pikë, 7 topa në tabela e 10 asistë, si dhe 3 vjedhje topi. Nuk dihet nëse do t’i ketë energjitë e duhura në një fazë kaq rraskapitëse si plej ofi, ndërsa mbron titullin e fituar vjet me Lejkërsat. Ndeshja e dytë luhet natën e 26 majit sipas orës shqiptare, sërish në fushën e Feniksit, ndërsa në raundin e dytë kualifikohet skuadra që arrin e para 4 fitore.
Sfidanti.al