Seria A pret portierin tjetër shqiptar, pas Strakoshës e Berishës ja ku del në skenë Kastrati!

E tregoi veten që kur ishte 18 vjeç. Elhan Kastrati luante në atë kohë për ekipin Shpresa të Peskarës, dhe u dallua për pritjet e tij, ndërsa sot është pranë Serisë A të vërtetë. Portieri i Shqipërisë U21, ishte titullar dhe realizoi një paraqitje të madhe në fitoren po aq të madhe që Çitadela arriti ndaj favorites Monza në plej ofin për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian. Gardiani 24-vjeçar ishte autor i asistit që solli golin e dytë shënuar nga autori i të treja rrjetave, Enriko Baldini.

Ai po ashtu bëri disa pritje të rëndësishme duke mos lejuar prekjen e rrjetës nga lojtarët e ekipit që ka president dhe pronar, Silvio Berluskonin, e që në fushë kishte Mario Balotelin. Suksesi ishte tepër i rëndësishëm në gjysmëfinalen e parë të plej ofit, sepse Monza u rendit e treta në sezonin e rregullt të Serisë B, ndërsa Çitadela e gjashta. Ngjitja në Serinë A do të arrihet vetëm nëse eleminohet Monza, dhe nëse fitohet finalja e plej ofit me fituesin e çiftit Leçe-Venecia. Kastrarit iu desh të fitonte këtë sezon besimin e trajnerit Venturato në një konkurrencë të fortë, duke luajtur vetëm rreth gjysmën e ndeshjeve, 19, e duke pësuar vetëm 13 gola, ndërsa në plot 7 sfida nuk pësoi gol.

Sfidanti.al