Dresdeni sërish në Bundesligën 2, tifozët e festojnë me sulm ndaj policisë!

Ja që futbolli vlen për shfrim pakënaqësish nga të gjitha llojet, edhe në vende shumë të zhvilluara si Gjermania. E bënë tifozët e Dinamos së Dresdenit që festuan ngjitjen e skuadrës së tyre në Bundesligën e dytë pas fitores 4-0 ndaj ekipit turko-gjerman, Tyrgyçy të Mynihut. Gjithçka nisi pasi u shënua goli i tretë në minutën e 70-të, dhe tifozët nisën të sulmonin policinë jashtë stadiumit. Policia përdori gazin lotsjellës dhe ujin me presion, si dhe disa individë u arrestuan. Pati edhe mjaft të plagosur pas hedhjes së sendeve të forta dhe u deshën autombulancat për t’i dërguar në spital. Me gjasë, tifozët e sulmuan policinë edhe për shkak të kufizimeve ndaj koronavirusit të vendosura në Gjermani.

Suksesi bëri që Dresdeni të ketë 72 pikë dhe të mos varet nga ndeshja e fundit e sezonit. Skuadra e shquar e ish-Gjermanisë Lindore, që doli 8 herë kampion e fitoi 7 herë kupën deri në 1990, nuk ka pasur mundësi të kishte një sukses të tillë në Gjermaninë e Bashkuar, dhe në Bundesligë. Gjithsesi, Dresdeni u kthye në nivelin e dytë të futbollit “teuton” pas një viti në Bundesligën e tretë duke reaguar siç duhet.

Sfidanti.al