Lebron luan vetëm 43 ndeshje në sezon, si e mbrojnë titullin Lejkërsat?!

Dëmtimet nuk e kanë lënë të qetë këtë edicion, dhe si asnjëherë më parë nuk ka mundur ta ndihmojë ekipin e tij siç duhet. Lebron Xhejms po ndjen peshën e 36 viteve të jetës që ka mbi supe, ndërsa tifozët e Lejkërsave kanë frikë se ky mund të jetë fillimi i fundit për superyllin e epokës. Kapiteni ka luajtur vetëm 43 ndeshje nga 72 këtë sezon, shifër që nuk është parë kurrë në të kaluarën, ndërsa “Liqenasit” do të duhet të bëjnë mbrojtjen e titullit të fituar vjet në Orlando.

Nuk dihet se cila do të jetë forma fizike e Lebronit gjatë plej ofit, ndërsa ngarkesa do të jetë sërish e madhe, pasi kundërshtarët do të japin maksimumin. Gjithsesi, Lejkërsat kanë edhe shqetësime të tjera. Entoni Dejvis ka luajtur më pak ndeshje sesa Xhejmsi, vetëm 34, ndërsa së fundmi gjermani Denis Shrëder është ndalur për shumë sfida nga koronavirusi. Në një sezon kur kandidatët për titull janë shtuar nuk duket aspak e lehtë për të qenë sërish kampion. Bruklin, Miluoki, Filadelfia, Denveri, Klipersat, pse jo edhe Juta Xhaz dhe Feniksi synojnë që të gjithë unazat e NBA-së.

Sfidanti.al