Liverpuli përmbys Junajtidin në “Old Traford”, i afrohet Championsit

Arrit fitoren e parë në këtë stadium dhe i dha vetes shpresë për t’u kthyer në skenën e madhe. Jurgen Klop më në fund pa në fushë Liverpulin e tij të zakonshëm, edhe pse sërish me shumë mungesa. Fitorja 4-2 në fushën e Mançester Junajtidit mund të quhet një nga më impresivet e “mbretërimit” të tij, ndërsa zona Champions në Premier Ligë nuk është aspak larg.

Në një ndeshje me përmbysje dhe gabime në mbrojtje, Junajtid kaloi i pari në epërsi në “Old Traford” me Bruno Fernandesin, por Diogo Zhota barazoi dhe Roberto Firmino shënoi dy herë për të kuqtë. Rashford i dha shpresë vendasve, por Salah mbylli llogaritë në sekondat e fundit. Liverpuli ishte skuadra më e mirë në fushë, më e qartë dhe më e vendosur, me 8 gjuajtje në kuadrat ndaj 3 të ekipit të Solskjerit. Ish-ylli i Totenhemit, Kris Uodëll, pohoi se të kuqtë e merituan sepse dominuan për 70 minuta. Kjo, ndonëse në qendër të mbrojtjes luante dyshja Filips-Ris Uilliams!

Liverpuli u ngjit në vendin e pestë me 60 pikë në 35 ndeshje dhe ka shanse për në katërshe. Leister është i treti me 66 pikë në 36 ndeshje, ndërsa Çelsi është i katërti me 64 po në 36, ndërsa favor për Liverpulin është fakti se do të ketë një përballje Çelsi-Leister.

Man. Junajtid: Henderson, Uan Bisaka, Bejli (Matiç 86’), Lindelof, Shou, Mektominaj, Fred (Grinvud 63’), Rashford, Bruno Fernandes, Pogba, Kavani. Tr. Solskjer

Liverpul: Alison, Aleksandër-Arnold, Filips, R. Uilliams, Robertson, Vajnaldum (Xhons 74’), Fabinjo, Tiago Alkantara, Salah (N. Uilliams 90’+2), Firmino, Zhota (Mane 74’). Tr. Klop

Sfidanti.al