Olsi Rama, ku ishe ti Adam kur luajt… me kokën e Bozhiqit?

Edhe pse Olsi Rama është “goja e Partizanit”, mbahet si dekani i drejtorëve në Superligë, prapëseprapë, kuptohet që më shumë  e ledhaton  sistemin dhe bën sikur e qorton atë.. Në prag të ndeshjes derbi me Tiranën, Rama i futbollit, u kujton mëkatarëve, pa u vënë gishtin me emra , se kur Partizani luan ndaj  Laçit, Vllaznisë apo Skënderbeut, as nuk flitet për protokoll për numrin e tifozëve në stadiume. Nuk e thotë, por lë të kuptohet se të gjithë rrugët të çojnë …kundër Partizanit ! Pale kur kujton atë ndeshjen me Laçin, ku Olsi e ndan tortën me të tjerët, duke e quajtur  si një turp që e panë të gjithë. Po pse tamam në Laç futbolli merr “uratën”, këtu drejtori  nuk futet. Madje duket sikur e maskon me marifet  emrin e fajtorit të madh .. FSHF-së,  kasnecëve të Komisionit të Disiplinës apo vetë arkitektit që mban në këmbë godinën e dhunës, presidentin Duka…

Rama i futbollit nuk ia lejon vetes të zhytet  tek plagët, por zbulon detaje si fishekzjarre,  që gazetarët mezi i grepin nga futbollistët : paska mbajtur një fjalim pikant para ndeshjes me Skënderbeun! Madje ka zbuluar edhe  flirtin me ekipin se  “toreadori” (Rama i topit) u ka premtuar “demave” se jam shoku, miku dhe avokati juaj!  Kjo frazë e bekuar  për t’u dëgjuar nga veshët e futbollistëve, sidomos në trevën tonë,  mu në finalen e sezonit, kushedi si tingëllon për zv.trajnerin Bozhiqi te Partizani . Apo  kur kujton ( nëse e mban mend) shishen e mbushur me “mjaltë” që e goditi në kokë në fushën e Laçit. Ehh, sa do të donim ta besonim  Olsi Ramën si  avokat i së drejtës në futbollin e shtrembëruar, po ku ishe ti Adam kur koka e Bozhiqit u shit në tenderin e “pikturës së dhunës” gati falas..për 1 milion lekë të vjetër? Një shumë simbolike për “fatorinot” e futbollit tonë, që ndihen të lumtur edhe pse koloviten në një autobuz që ndizet me të shtyrë…

Sfidanti.al