Ç‘është kjo premio gjigande që do te jepet ne fund te kampionatit ? Kujt i thonë gjigante në Shkodër? Apo kjo është gjuha e atij futbollit, ku luan dhe Nastradini , meqë botës ia ka prerë gjuhën financiare ..pandemia. Dhe sa më shumë varfërohen të pasurit , na bëhet sikur më të pasur bëhemi ne …të varfërit !
Paska premtuar sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi një premio gjigante për Vllazninë në rast se ekipi shpallet kampion i Shqipërisë. Siç duken bathët, nëse fitojnë Kupën, shumë e fituar do t’u duket si pare xhepi në krahasim me ..superpremion e Superligës. Ka shumë rëndësi që i quajmë Super, sepse ndryshe nuk do te mbaheshim gjallë…
Dhe kur flitet për para, apo kur premtohet një mal me para , pse mos ta besosh “kryebankierin” e ekipit . Në ditë të keqe, kur Vllaznia ishte duke u gremisur një kategori më poshtë, doli lajmi i bujshem se shkodranët e bashkisë dhe ata të futbollit bashkuan forcat për të avulluar gjate sezonit gati 1 milion euro! Po tani që po ngjiten në qiellin e shtatë, kushedi sa miliona do te rrokullisen. Dhe pyetja që na ndez imagjinatën, sidomos në këtë “lojën me shifra”, sikur na dikton dhe një kompromis alla shqiptar : po na treguat sa është kjo “shuma gjigante”, do t’u tregojmë sekretin madh te sezonit…nëse e fitoni dot kampionatin apo jo !
Sfidanti .al