Jo më kot është zgjedhur si basketbollisti më i mirë në NBA dy sezonet e kaluar. Flasim për Janis Antetokumbon që ende nuk e ka arritur lavdinë më të madhe, titullin kampion, por po e synon me të gjitha forcat. Provë ishte fitorja e Miluokit ndaj Filadelfias së fortë, 124-117, ku kapiteni ishte lojtari më i mirë në parket, pavarësisht se bëri mjaft gabime. Një element që veçohet është gabimi në 8 nga 18 gjuajtje të lira (!!!), që kanë qenë gjithnjë pika e tij e dobët. Sidoqoftë, shtatlarti shënoi 27 pikë e kapi 16 topa në tabela, duke dhënë 6 asistë, duke bërë 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, e duke e humbur topin vetëm 3 herë. Për këtë, i dhanë notën 25, ndërsa Janisi fitoi duelin me Zhoel Embijdin e Filadelfias, që luajti vërtet më pak minuta, shënoi 24 pikë, por bëri shumë pak gjëra të tjera (3 topa në tabela, 3 asistë). Miluoki shënoi 77 pikë që në pjesën e parë, ndërsa kjo ishte fitorja e katërt radhazi ndaj Filadelfias, që luajti ndeshjen e 5-të në 8 ditë. Miluoki është në vend të tretë në Lindje me 36 fitore e 22 humbje, ndërsa Filadelfia mban vendin e parë bashkë me Bruklinin me 39 fitore e 20 humbje.
Sfidanti.al