Fundi i vitit 2016 nuk ishte aspak i lumtur për një nga trajnerët më të vlerësuar të botës. Unai Emeri nuk po transplantonte tek Paris SG metodën e tij fituese që, tek Sevilja, e lejoi të fitonte dy Liga të Europës radhazi dhe të kualifikohej pa ndërprerje për në Champions. Dikush mund të ketë menduar se është ndryshe të drejtosh një klub mesatar në Spanjë, dhe klubin më gjigand të Francës. Gjithsesi, punët e mira bëhen dalë nga dalë, dhe Emeri po ia shpërblen me rezultate, sheikëve pronarë të klubit, durimin e treguar prej tyre.
Nga pesë ndeshje të luajtura në 2017, janë fituar pesë, e fundit krejt triumfale 4-1 në fushën e Bordosë për Kupën e Ligës së Francës. Edhe pse nuk është kompeticioni kryesor, sërish kur ia del 4-1 në “Park Leskyr”, nuk është asnjëherë rezultat i zakonshëm. Angel Di Maria dhe Edinson Kavani shënuan nga dy gola. Emeri nuk pati nevojë ta mbingarkonte gjermanin e ri, Julian Draksler, i cili nuk ishte as në stol, por formacioni parizien kishte shumë emra të njohur si Markinjos, Tiago Silva, Rabio, Verrati, Matyidi, Di Maria, Kavani apo Lukas.
PSG e nisi 2017-ën me fitoren 7-0 në Kupën e Francës ndaj Bastijës, pastaj vazhdoi me suksesin 2-0 në “Park dë Prens” ndaj Mecit në Kupën e Ligës, më tej me triumfet jashtë fushe në kampionat, 0-1 në Renë dhe 0-2 në Nantë, ndërsa tani erdhi 4-1 në Bordo. Në 29 janar, parizienët presin në fushën e tyre kryesuesen e kampionatit, Monako, një rast për të shpalosur pretendimet për titullin. Monako ka 48 pikë ndaj 46 të Nisës e 45 të PSG-së.
Sfidanti.al