Në stadiumin “San Paolo” të Napolit, ndoshta edhe më shumë sesa brohoritjet për skuadrën vendase, ranë në sy banderolat në mbështetje të familjeve të goditura nga tërmetet e kohëve të fundit në Itali. Tifozët kishin një propozim për të bërë, në prag të ndeshjes së Kupës. Në njërën nga banderolat shkruhej “futbollistë, presidentë, drejtues dhe trajnerë, dhuroni 1 për qind të të ardhurave neto për njerëzit e lënë pa çati nga tërmeti, kështu do ta keni të fituar titullin kampion”.
Ekziston mundësia që këto kategori të sportit, të cilëve iu bë kjo thirrje, mund të tregohen të ndjeshëm dhe t’ua falin 1 përqindëshin njerëzve në nevojë, por gjithsesi kjo do të ishte thjesht shprehja e pafuqisë së një populli (në këtë rast të atij italian) për të krijuar një shtet të drejtë, që të ketë “kuletën plot” në raste fatkeqësish të tilla. Atje ku shteti social është krijuar shumë më i fuqishëm dhe vazhdon të konsolidohet, taksat progresive luajnë pikërisht rolin e “sadakasë”, apo të “faljes” të “mëshirës” nga ana e atyre që na qenkan “të zotë”, për ata që kanë qëlluar “të pazotë”. Se përse është bërë kjo ndarje, shpesh publiku nuk e kupton dhe mediat e njëanshme as nuk duan ta analizojnë.
Sfidanti.al