Mundet që të lumturohesh edhe në humbje, nëse disfatë cilësohet vendi i dytë. Ljuis Hamilton u detyrua të kënaqej me shkallën e dytë të podiumit i mundur nga Maks Verstapen në klasiken e Imolës, gara e dytë e sezonit në Formula 1. Piloti anglez, kampion i botës në fuqi, pranoi se gaboi, por më pas pilotoi shkëlqyeshëm duke fituar 7 vende të paktën. “Ky ishte gabimi im i parë në kaq shumë kohë, – tha 7 herë kampioni, – nuk ishte dita ime më e mirë, por për fat e ktheva makinën në garë. Përgëzime Maks (Verstapenit), ai bëri një paraqitje të madhe”.
Pikërisht Verstapen fitoi me Red Bullin duke lënë pas Mercedesin e madh, madje duke pasur 22 sekonda epërsi ndaj Hamiltonit. “Gara ishte shumë e vështirë, sfidë e madhe, – tha holandezi, – nuk është asnjëherë e lehtë të zgjedhësh gomat e duhura. Mendoj se që të gjithë si skuadër bëmë një punë të madhe”. Hamilton kryeson kampionatin botëror me 44 pikë ndaj 43 të Verstapenit sepse pati xhiron më të shpejtë në Imola, dhe kjo i jep shpresë skuadrës gjermane. “Ne kishim makinën më të shpejtë, – tha shefi Toto Volf, – pilotimi i pabesueshëm i Ljuisit na shpëtoi, gjithsesi”.
Sfidanti.al