Thonë se një shkodran , edhe në futboll, lind bashkë me humorin. Po kur janë dy shkodranë, madje trajnerë futbolli, por edhe pretendentë për titull… s’bëkan humor, por polemikë! Një polemikë që do të kujtohet sepse humbi sensin duelit verbal nga njëri prej tyre. Paska thënë trajneri i dytë i Vllaznisë, Elvis Plori, një zë ndryshe nga klasa e zakonshme e trajnerëve, se “Teuta është ekipi që luan futbollin më të shëmtuar midis 5 pretendentëve për titull”. I ka tingëlluar si një blasfemi futbolli kjo frazë trajnerit të Teutës, Edi Martini , aq sa ka stakuar në moment “spinën e kujtesës” për bashkëqytetarin e tij: “ Kush është ky Plori? Me kë ka luajtur dhe çfarë ka bërë?”
Për hir të së vërtetës, Plori ka thënë një të vërtetë në mënyrën më të ashpër, pa patur frena në gjuhën e tij. Teuta e këtij sezoni nuk është e bukur në lojë, gërsheton si mënyrë jetese gjatë 90 minutave një mbrojtje stoike, me një mesfushë punëtore dhe me një kundërsulm mpirës , që me anë të Bregut mund të konsiderohet si “vaksina” që të çon në ..bregun tjetër! Nuk ka dyshim se Vllaznia e Plorit ka patur më shumë pamje në lojë, më shumë shpirt aventuresk gjatë javëve të kampionatit, por kjo nuk të jep siguri , sidomos në kohën e sotme, për të vënë në dorën në zjarr se titulli fitohet më shumë me bukuri sesa me pragmatizëm…
Kjo polemikë midis Martinit dhe Plorit, që u ndez nga ethet për titull, në Shkodër mund të mos tingëllojë mirë, por nga e keqja, nga ferra, ka dalë edhe një e mirë, një lule që ia vlen te vaditet! Ku ta gjesh, le të lusim zotin për këtë lloj polemikash, kur trajnerët heqin njëri – tjetrin nga harta e topit vetëm e vetëm për çështje stili në lojë…!
Sfidanti.al