Ka cilësinë kryesore të më të mirëve. Një lojtar i madh është i tillë kur nuk e ul thuajse kurrë nivelin e tij, dhe këtë po bën edhe Nikola Jokiç. Lojtari që vlerësohet si më i miri i sezonit deri tani në basketbollin amerikan e tregoi edhe një herë vazhdimësinë, duke udhëhequr Denverin në fitoren e 8-të radhazi. Suksesi ishte tepër i vështirë, madje edhe me fat, 121-119 ndaj San Antonios, por ylli europian e bëri të vetën duke realizuar një tripëll dabëll. Ai shënoi 26 pikë, kapi 13 topa në tabela nga të cilët 5 në sulm dhe shërbeu 14 asistë.
Në mungesë të lojtarit të rëndësishëm Xhamal Marrej, Jokiç u detyrua të ndihmonte skuadrën më shumë sesa herët e tjera. Porter e Barton ishin gjithashtu lart, por jo edhe aq përforcimi i javëve të fundit, Aron Gordon. San Antonio nuk është skuadra që ka qenë dikur, pavarësisht pranisë së trajnerit Greg Popoviç. Synimi është për të ardhmen dhe ekipi nga Teksasi ka mjaft lojtarë të rinj në krah të kapitenit DeRozan. Denveri synon të kalojë Klipersat dhe të bëhet forca e tretë në Konferencën Perëndimore, për t’iu afruar më të mirëve si Juta Xhaz dhe Feniks Sans. Me një Jokiç të tillë që mbetet në formën e lojtarit më të mirë të sezonit, mund t’ia dalë.
Sfidanti.al