E gjithë Gjermania po pret me interes që ai të dalë në ekran dhe të nisë të lëshojë “nga ato të vetat”. Uli Hënes njihet për batutat e tij, dhe i kishte munguar skenës që kur u largua si president i Bajernit, por do të kemi një rikthim të madh. Në moshën 69-vjeçare, ai do të jetë opinionist në RTL ku do të diskutojë për kombëtaren gjermane, dhe e përditshmja “Bild” shkruan se “ylli nuk është ekipi, por Hënesi”. Gazeta shton se “departamenti i sulmit” (siç njihet ish-presidenti) do të lëshojë sllogane siç bënte dikur.
I kujtohen disa nga batutat kur tha për Klinsmanin se “nëse ai është Obama, unë jam Nënë Tereza”, për Lotar Mateusin se “ai nuk do të jetë tek Bajerni, as si punëtor fushe në stadium” apo për Mikael Balakun kur u largua nga ekipi se “është e qartë se ai nuk pati interes për një gjuhë të re apo kulturë të re, por për një monedhë të re”. “Më pëlqen shumë puna e re që do të bëj, – shprehet Hënesi, – por, unë nuk do të dal për të kritikuar apo shkatërruar gjithçka. Do të ketë kritika, por duhet të ketë një ton pozitiv”. Në të vërtetë ka shumë gjëra për të dëgjuar për kombëtaren gjermane dhe për Federatën, në një kohë krize për “pancerët”.
Sfidanti.al