Katari në eleminatoret europiane të Botërorit, por është “pa të drejtë vote”!

Kontinenti do të ketë që sot një mik të veçantë. Pas Izraelit, të dëbuar nga vendet arabe, në Europë do të vijë edhe një tjetër ekip përfaqësues nga Azia, dhe konkretisht Katari. Skuadra e vendit të vogël nga Lindja e Mesme do të bujtë në eleminatoret e Kupës së Botës për arsye krejt të tjera nga ato të Izraelit, ndërsa do të luajë sot në orën 18:00 në një stadium të Budapestit ndaj Luksemburgut.

Cilësohet ndeshje e eleminatoreve të zonës europiane, edhe pse jo një sfidë e vërtetë me vlerë kualifikuese. Katari është i ftuar në Europë, ndërsa është i sigurt si finalist i Botërorit për shkak se është vendi organizator. Do të jetë praktikisht ndeshje miqësore, dhe Katari është vendosur si i ftuar në grupin A, e do të luajë edhe ndaj Portugalisë, Serbisë, Irlandës dhe Azberbajxhanit, pa ndikim në renditje.

Nën ndikimin e lobimeve nga Spanja, Katari dëshiron të rrisë nivelin në prag të finaleve të Botërorit, duke u matur me skuadrat europiane. Skuadra me trajner spanjollin Feliks Sançez Bas është në vendin e 58-të të renditjes së FIFA-s, ndërsa ka ardhur duke e rritur nivelin. Suksesin më të madh e pati në Kupën e Azisë në 2019 ku fitoi titullin duke mundur 3-1 Japoninë në finale. Ekipi ka natyralizuar lojtarë nga Egjipti, Iraku, Kepi i Gjelbër, Algjeria, Sudani, Gana si dhe një francez me origjinë algjeriane.

Ndeshja në Budapest pritet interesante pasi edhe Luksemburgu vitet e fundit është forcuar. Jo më kot fitoi në fushën e Malit të Zi, mundi Qipron dhe Azerbajxhanin e më parë edhe San Marinon. Në radhët e luksemburgasve luajnë lojtarë me origjinë të huaj, e njëri prej tyre është Daniel Sinani, me origjinë gorane nga zona e Sharrit apo e Dragashit në Kosovë.

Sfidanti.al