Nuk jemi aspak të mëdhenj, por fillimin e kemi si të tillë. Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka qenë me plot gojën e frikshme në ndeshjet e para eleminatore të turneve të mëdhenj, të paktën që nga Kupa e Botës 2014. Në 9 vitet e fundit kemi arritur 5 fitore e kemi pësuar vetëm 1 humbje, duke mos njohur barazimin, me golaverazhin e përgjithshëm 9-4. Kjo traditë nisi në 7 shtator 2012, kur kuqezinjtë mundën Qipron 3-1 në “Qemal Stafa” me golat e vonshëm të shënuar nga sulmuesit Egdar Çani dhe Erion Bogdani.
Në Euro 2016 u arrit edhe fitorja më e madhe në historinë e kombëtares jashtë fushe, pikërisht në Portugali në 7 shtator 2014, nën drejtimin e Xhani De Biazit. Vendosi goli vërtet i bukur i Bekim Balajt pas topit të dhënë nga Odise Roshi. Në eleminatoret e Kupës së Botës 2018, patëm një ndeshje që zgjati dy ditë, ajo ndaj Maqedonisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Në 5 shtator 2016 rezultati ishte 1-1, kur një stuhi detyroi ndërprerjen, ndërsa të nesërmen u luajtën minutat e mbetura, dhe në sekondat e fundit vendosi goli i Bekim Balajt për rezultatin 2-1.
Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Shqipëria fitoi 1-0 ndaj Izraelit në “Elbasan Arena” në 7 shtator 2018, nën drejtimin e Kristian Panuçit, me golin e vetëm të shënar nga Taulant Xhaka në pjesën e dytë. Po nën drejtimin e Panuçit u pësua humbja e parë në fillimin e një turneu të madh, 0-2 ndaj Turqisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës, kjo në eleminatoret e Euro 2020 në 22 mars 2019. Ndeshja e fundit ishte sukses, pasi të besuarit e trajnerit Edi Reja fituan 2-0 në Bjellorusi në start të Ligës së Kombeve 2020-2021 me gola të shënuar nga Sokol Cikalleshi dhe Keidi Bare. Të shohim sesi do të jetë fillimi i eleminatoreve të Kupës së Botës në Andorrë.
Sfidanti.al