NBA, “valle dyshe” e Luka Donçiçit dhe Xhejms Hardenit!

Donçiç arriti në 42 pikë ndërsa Dallasi triumfoi bindshëm ndaj Los Anxhelos Klipersave me shifrat 105-89. Një përgjigje e 21-vjeçarit nga Sllovenia pas humbjes ndaj Klipersave pak ditë më parë, me shifrat 99-109, si dhe pas eleminimit vjet në plej of. Donçiç pati edhe 6 topa në tabela e 9 asistë, por gjithashtu 3 vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh. Ai përballoi lojën jo me standardin e zakonshëm të Kristaps Porzingisit, ndërsa ia doli ndaj dy yjeve miq, Kauai Leonard e Pol Xhorxh. Dallasi, që i mundi Klipersat me 51 pikë diferencë në nisje të sezonit, janë ende në vendin e 8-të në Konferencën Perëndimore, ndonëse shumë pranë vendit të katërt që mbahet pikërisht nga ekipi nga Kalifornia.

Xhejms Harden, ndërkaq, pati një tripëll dabëll dhe Bruklini nuk ka të ndalur me fitoret. i mbiquajturi “Mjekra” pati 40 pikë, 10 topa në tabela e 15 asistë në fitoren 124-115 në fushën e Indianës. U desh një reagim në periodën e katërt që të sigurohej fitorja, ndërsa vështirësia ishte e madhe pa Kajri Irvingun e Kevin Durantin në parket. Hardeni fitoi duelin me basketbollistin lituanez, Domantas Sabonis, që gjithashtu realizoi një tripëll dabëll, por duke shënuar shumë pikë më pak. Ky sukses bëri që Bruklini të ngjitet në vendin e parë në Perëndim, me të njëjtin bilanc si Filadelfia që u mund në duelin  e madh në fushën e Miluokit. E cilësuar si një nga pretendentet kryesore për titullin, skuadra nga Nju Jorku ka 6 fitore radhazi, si dhe arriti suksesin e 8-të radhazi jashtë fushe, një rekord i klubit.

Sfidanti.al