Luftëtari nuk e pati problem që të udhëtonte nga Gjirokastra në kryeqytet për të luajtur një miqësore me Tiranën. Ajo e “Selman Stërmasit” mund të kishte qenë fare mirë një ndeshje zyrtare e kampionatit, nëse klubet nuk do të kërkonin dhe Federata nuk do të vendoste një shtyrje të Superligës. Kukësi, po ashtu ka vendosur të luajë, veçse një ndeshje kontrolli brenda vetes. Besohet se edhe skuadrat e tjera do të kishin dëshirë të luanin, tani që koha është e mirë.
Mund të vijë dita që klubet dhe FSHF të pendohen për shtyrjen. Në një sezon që, gjithsesi, bëhet i ngarkuar në fund, edhe një javë kohë nuk duket aspak gjë e vogël. Besohet, të gjithë e kujtojnë se me çfarë ritmi u luajtën ndeshjet e fundit të fazës së dytë, në një kohë që kampionati filloi në mes të shtatorit. Duket, na pëlqen të bëjmë pushim, por më pas gjithçka “na del për hundësh”.