Nga dëmtimi te kombëtarja, si nuk mbaruan hallet me Nejmarin

Tek Paris SG po lajmëronin me gëzim se ylli brazilian ishte riaftësuar plotësisht nga lëndimi dhe ishte bashkuar me grupin në stërvitje. Nuk ka më bukur tani në prag të fazës vendimtare të sezonit, kur synohet titulli dhe vazhdimi me sukses në Champions. Gjithsesi, nuk ishte e thënë që trajneri Poçetino dhe ndihmësit e tij të qetësoheshin e të gëzoheshin, pasi menjëherë vjen lajmi se Nejmari mund të thirret në kombëtaren e Brazilit për ndeshjet e radhës të eleminatoreve të Botërorit. Kjo do të thotë se ai do të ishte i detyruar të hynte një javë në karantinë në kthim dhe kjo do t’i prishte punë jo vetëm për ndeshjet e luajtura, por edhe për faktin se nuk do të stërvitej dot me shokët e do të mbetej prapa. Jo vetëm kaq, por PSG ka problemin se këtë fat mund ta kenë edhe Markinjosi, Paredesi, Kejlor Navasi, Di Maria. Dhe kjo vetëm pak ditë para çerekfinaleve të Championsit.

Sfidanti.al