Konte si në “fushatë elektorale”, slogani i radhës: Kemi 13 finale

Kur skuadra e tij bëri gabime siç ndodhi në humbjen e derbit në fazën e parë të Serisë A, apo në eleminimin nga Kupa prej Juventusit, trajneri i saj gjithnjë theksonte anën pozitive të gjërave. Antonio Konte, në atë kohë donte që lojtarët e tij të mos humbisnin besimin tek vetja, ndërsa kohët e fundit, kur “batica” ka kthyer për mbarë, “diskursi” i tij është tjetër. Menjëherë pas fitores 3-0 ndaj Milanit në kampionat, Konte deklaroi se priste provën e pjekurisë së skuadrës në dy ndeshjet ndaj Xhenoas e Parmës, me nënkuptimin e qartë se nëse nuk fitoheshin ato, kishte më pak vlerë suksesi në derbi.

Interi ia tregoi “dëftesën e pjekurisë” duke triumfuar e marrë 6 pikë, por tekniku bëri menjëherë kërkesa të tjera. “Tani kemi 13 finale deri në fund të kampionatit, – tha ai pas Parmës, – shoh përmirësime, por rruga është ende e gjatë. Mund të lihen pikë kudo”. Ai u ngacmua për faktin se Hakimin e kapi fort për koke. “Nuk ishte qortim, – tha ai, – ishte lavdërim. Jam demokratik, nuk dhuroj asgjë, dhe pres deri në një pikë të caktuar. Lojtarët po përmirësohen”.

Sfidanti.al