Red Bull prezanton makinën RB16B për Botërorin e F1 të 2021

Quhet RB16B dhe është makina e re e Red Bull për Botërorin e Formula 1 të këtij viti. Skuderia austriake e prezantoi online këtë të martë dhe është një makinë që mban firmën e Adrian Newey dhe është një vazhdimësi e projektit RB16 e vitit të kaluar. Rregullat e forta teknike e detyruan Red Bullin që të kufizojnë ndjeshëm mundësitë për zhvillimin e makinës së 2020 për 2021.

Është thuajse e njëjta makinë sa edhe vetë Red Bull komentoi me tone shakaje në rrjetet sociale. ‘Është njësoj njësoj…por ndryshe’-lexohet në postimet e Red Bull.  Turiri i makinës është I ngushtë si makina e 2020, ndërkohë që pak ndryshime u panë edhe në aspekte të tjera të makinës që për 2021 do të drejtohen nga Max Verstappen dhe Sergio Perez me meksikanin që merr vendin e Alex Albon që do të jetë në rolin e pilotit testues. Me këtë makinë të re Red Bull do të kërkojë që të rivalizojë me Mercedes në Botërorin e Formula 1 të 2021 që do të nisë në Bahrein në 28 mars.

Sfidanti.al