Guardiola: Nuk mund të fitojmë çdo ndeshje 3 apo 4 me zero!

Ndaj Arsenalit u arrit suksesi i 18-të radhazi dhe u shtua seria në 25 ndeshje pa pësuar humbje. Mançester Siti po shkon me “revan” drejt titullit kampion në Angli, pavarësisht se Pep Guardiola vazhdon të thotë se “titulli nuk fitohet në shkurt”. “Qytetarët” u mjaftuan me një fitore të vogël 1-0 në fushën e Arsenalit për të mbërritur kuotën e 59 pikëve, 10 pikë mbi vendin e dytë. Duhen vërtet edhe 13 ndeshje, pra janë në lojë edhe 39 pikë, por vrulli i Sitit duket i pandalshëm. Fati i ndeshjes në “Emirejts” u vendos që në minutën e 2-të nga Rahim Stërling, ndërsa ekipi i Guardiolës arriti fitoren e 8-të radhazi ndaj Arsenalit.

“Nuk mund të fitojmë çdo ndeshje 2, 3 apo 4 me zero, – tha Pepi më pas, – nganjëherë mjafton 1-0 dhe është shumë mirë. Ne duhet të kuptojmë se jemi në një kampionat shumë të vështirë, në një sezon shumë të fortë, është një luftë e vërtetë dhe prandaj na pëlqen ky rezultat. Natyrisht ne donim të shënonim golin e dytë apo të tretë, por nuk mundëm. Nuk ishte e lehtë ndaj Arsenalit”. Siti tani kalon vëmendjen ndaj Championsi, ku në mesjavë do të luajë ndeshjen e parë të turit të dytë ndaj Borusias së Mynshengladbahut.

Sfidanti.al