Për të përditshmet spanjolle nuk ka dyshim që cikli është i pandalshëm. Barcelona po shkon si “kovë pusi” edhe këtë sezon, dhe katastrofa në Champions u pasua me një zhgënjim të ri në La Liga. Barazim 1-1 në “Kamp Nou” ndaj Kadizit, një rezultat që e bën ekipin e trajnerit Ronaldo Kuman që të “abdikojë” sërish në garën për titull (nëse ka qenë ndonjëherë pretendente). Lionel Mesi shënoi një tjetër gol, por sërish me 11-metërsh, duke vazhduar garën me rekordet e vetvetes dhe me ato të Kristiano Ronaldos e të legjendave të tjera, por ekipi i tij është i dorëzuar. Leo ka 726 rrjeta në karrierë për klubin dhe kombëtaren, 37 mw pak se Ronaldo që është 1 vit e gjysmë më i madh.
“Një vetëvrasje e pafundme”, titullon gazeta “AS” e Madridit, e cila thellë-thellë duhet të jetë e gëzuar që Realit po i hiqet qafe një konkurrent. Gabimi i Atletikos një ditë më parë ua hapi rrugën dy gjigandëve për të pretenduar titullin, por katalanasit duket se thanë përsëri “jo, faleminderit”. Me eleminimin praktikisht të sigurt në Champions, me dështimin në La Liga, me humbjen në finalen e Superkupës së Spanjës dhe me rrezikun e eleminimit edhe në Kupën e Mbretit (pas humbjes 0-2 në Sevilje), Barcelona po shkon gjithnjë e më shumë drejt epokës së kaosit, pas epokës së madhe të “tiki takës”. Shumë vjet më parë, Zhoze Murinjo thoshte se “e gjithë bota do të qajë kur Mesi të mbushë 32 vjeç”. Tashmë, e qara nuk po ndalesh dhe argjentinasi duket se e ka “prerë biletën” për të ikur nga Barcelona.
Sfidanti.al