Dhuna në Superligë është malli që shitet publikisht , jo poshte banakut, në “kioskën e futbollit”. E blejmë lirë dhe e shesim shtrenjtë, si për ta forcuar edhe më shumë “ligjin” e qëmotshëm të tregut tonë që jeton sipas parimit “bli këlysh dhe shit qen”. Pse guxojmë të themi e blejmë lirë, kur ende na del para syve koka e gjakosur e trajnerit , Bekim Kuli? E blejmë lirë ngaqë toka jonë është e pasur me akte dhune, (pale kur thonë se është varfëruar toka e Superligës..po na mbaron dhuna! ) , e shesim shtrenjtë , me miliona ngaqë nuk është mall i sajuar dosido..
Një “mall” që bëjmë sikur nuk e duam ta kemi në tregun tonë , por kur na shfaqet ama, derdhen para për ta konvertuar. Ja, ky tërbimi i fundit masiv, ai që i dha emër dhe histori famkeqe ndeshjes Bylis-Laçi, pati një këmbim monetar me leverdi për tregtarët e zyrave, nga 5 milion lekë gjobë për secilin ekip, që do të paguajë që të përgjymohet dënimi. Bile thonë se i kanë paguar.. Pyetja që lind pa leje : u dënuan të gjithë aktorët e dhunës?
Komisioni i Disiplinës në FSHF, ai që sa herë mblidhet për “gjakun e derdhur” e quan veten “dorë të hekurt”, paska zbuluar me lente (apostafat për akte dhune) se shumica e agresorëve paskan bërë gjasme sikur gjuanin me grushte dhe shkelma, ndaj ka ndeshkuar vetëm dy futbollistë, ata që u quajtën ndezësit e fitilit , Naubuezen dhe Carkanjin.
Sa të gënjen ekrani , iluzioni na verkoka sytë, sa ne e dinim sikur ishin dhjetëra dhunues të devotshëm nga të dy ekipet, kurse Komisioni me syrin e “skifterit” ka kapur vetëm dy viktima ! Një gjueti e paralajmëruar me skenar: në fillim këta dy lojtarë u dënuan nga vetë klubet, me porosi nga lart, pastaj doli ne skenë Komisioni që vendosi çmimin për llojin e mallit dhunë..
Sfidanti.al