Porto-Juventus? Kur edhe Kristiano Ronaldos i vihet nota … 4!

Në të vërtetë ishte 4.5, por gjithsesi ishte shumë e dobët. Superylli portugez pati një mbrëmje për t’u harruar në rikthimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa u duk hija e vetvetes në fushën e Portos. Për të ishte një lloj derbi, si ish-lojtar i Sportingut të Lisbonës, por as kjo nuk e “ndezi” dhe “La Gazeta delo Sport” e cilësoi se nuk pati asnjë ide në fushën e lojës. Dakord, duhej të fitonte një penallti, po sipas kësaj gazete, por kaq nuk mjafton për një gjigand të tillë.

Nuk është habi që në fund Juventusi doli i mundur nga sfida e parë e turit të dytë, por rezultati 1-2 jep shpresa. Për fat (dhe për meritë) erdhi goli i Federiko Kiezës që mund të quhet “i artë”. Më i miri për italianët ishte spanjolli Alvaro Morata, e po ashtu Aleks Sandro u vlerësua mirë, ndërsa Kulushevski “u mbyt”. Për Porton, më i miri ishte Serzhio Oliveira. Vendasit shënuan me anë të Mehdi Taremit që në minutën e 2-të dhe me Musa Maregën në 46’. Kieza realizoi 8’ para fundit. “E luajtëm ndeshjen në mënyrë të gabuar, – tha trajneri Pirlo, – kishim përgatitur tjetër ndeshje. Për fat arritëm të ngriheshim në këmbë për ndeshjen e kthimit”.

Sfidanti.al