Ishte mbrëmja e miqve dhe në mënyrë të merituar, e ajo që ndodhi në “Kamp Nou” ishte e merituar me shkronja të mëdha. Cilado shpresë e Barcelonës për t’u kthyer e madhe në Ligën e Kampionëve u bë copë e thërrime nga Paris SG që u tall hapur në “Kamp Nou”. Fitoi 4-1, duke qenë në humbje 0-1, e duke mos e patur problem që iu dha një penallti kundër. Gazetat shkruanin në prag të sfidës se po luan “e tashmja ndaj të ardhmes”. E tashmja duhej të ishte Mesi, dhe e ardhmja Mbapeja, por kampioni i botës është të dyja këto së bashku, pra edhe e tashmmja, edhe e ardhmja. Në moshën 21-vjeçare ishte i papërballueshëm nga katalanasit duke shënuar 2 gola, ndërsa Mesi realizoi vetëm një me penallti. Sulmuesi francez pati edhe raste të tjerë, duke treguar formë fizike të shkëlqyer. Për Barcelonën, Championsi po kthehet në një “ferr” dhe nuk dihet se kur mund të fitohet për herë të parë që nga viti 2015. Pas katastrofave me Romën e Liverpulin, erdhi kataklizmoja ndaj Bajernit dhe ja tani turpi me PSG-në që mund të quhet që tani në çerekfinale.
Në çerekfinale duket edhe Liverpuli që e mblodhi veten në kohën e duhur. Përfitoi disi edhe nga fakti që ndeshja ndaj Lajpcigut nuk u luajt në Gjermani, por e priti stadiumi hungarez i Budapestit. Fitore 2-0 me gola të sulmuesve të harruar Salah e Mane, duke e bërë shumë më të lehtë sfidën e kthimit në “Anfild” (apo ndoshta sërish në fushë asnjanëse). Anglezët treguan përvojën e tyre të madhe si skuadra që ka qenë në finale në 2018 e 2019 duke fituar Championsin pikërisht dy vjet më parë.
Barcelona-Paris SG 1-4 (Mesi 27’ (p), Mbape 32’, 65’, 85’, Kean 70’)
Lajpcig-Liverpul 0-2 (Salah 53’, Mane 58’)
Nesërm 21:00: Porto-Juventus, Sevilja-Dortmund.
Sfidanti,al