Prag Champions, Barcelona-Paris SG dhe Lajpcig-Liverpul!

Dita e madhe sërish erdhi. Liga e Kampionëve rikthehet sonte me fazën e saj më të bukur, atë me eleminim direkt, dhe një përballje vërtet e madhe është ajo që Paris SG do ta luajë në fushën e Barcelonës në orën 21:00. Kampionët e Francës dhe nënkampionët e Europës udhëtuan me besim drejt Spanjës për sfidën e parë të turit të dytë, ndonëse gjendja nuk është nga më të mirat.

Në kampionat rrezikohet titulli nga Lila e Lioni, ndërsa infermieria është plot.  Nejmar, Di Maria, Bernat, Dagba, Franki, Pembele dhe Simons janë mungesa, një goditje vërtet e rëndë, sepse disa prej tyre janë lojtarë kryesorë. Në dyshim edhe Rafinja e Verrati, por që udhëtuan për në Katalonjë.

“Këto janë humbje të mëdha, – tha Poçetino, – por, ne jemi një skuadër me shumë lojtarë dhe jemi gati. Gjithnjë do të ketë mungesa. Duam që ta fitojmë ndeshjen. Po përshtatemi shpejt, sepse këtu ka lojtarë ambiciozë. Nuk ia vlen të kujtojmë humbjen 1-6, ajo është e kaluara”.

Për më tepër, delegacioni parizien u prit me ofendime dhe tallje në Katalonjë, duke mos kursyer sidomos as presidentin Al Helaifi. Po ashtu, tifozët vendas ushtruan presion ndaj lojtarëve deri natën vonë.

Po Barcelona si ndihet? Ekipi ndihet i qetë dhe Mesi në formë, ndaj duket se ndeshja ka ardhur në kohën e duhur, pas disa rezultateve të mira në La Liga. Për më tepër, “blaugranët” tradicionalisht janë kualifikuar ndaj francezë, dhe nuk harrohet përmbysja 6-1 disa vjet më parë.

“Ne jemi ende të aftë që të konkurrojmë me të gjitha skuadrat e forta të Europës, – tha Kumani me besim,- ne jemi përmirësuar, po luajmë futboll të mirë në nivel të lartë. Edhe nga ana fizike jemi shumë lart dhe kemi lojtarë fantastikë. Ne mund të mundim këdo dhe duam që ta fitojmë Championsin. Kështu duhet të jetë për Barcelonën”.

Sfida tjetër e madhe e sotme është ajo Lajpcig-Liverpul, që zhvillohet në fushën neutrale të Budapestit, për shkak të koronavirusit. Gjermanët e trajnerit Nagelsman, gjysmëfinalistë vjet të Championsit, janë në vend të dytë në Bundesligë, por trajneri flet me kujdes.

“Liverpuli është lehtësisht favorit, siç e mendoj unë, – tha ai, – e vërtetë që ata kanë pasur dëmtime dhe probleme me rezultatet, por po flasim për një ekip që ka dalë 6 herë kampion i Europës. Jurgen Klop është një trajner i madh, ju e dini se çfarë bëri me Dortmundin dhe tani me Liverpulin. Gjithsesi, ne kemi synimet tona dhe duam që të kualifikohemi”.

Liverpuli ndërkaq është në krizë të plotë. Humbjet radhazi e kanë zbritur në vend të gjashtë në Premier Ligë, ndërsa Van Dajk, Gomez, Matip, Zhota e Keita janë të dëmtuar. Milner, Fabinjo, Dejvis apo Origi janë në dyshim.

“Unë jam shumë mirë, – tha gjermani, – jemi stërvitur dhe kemi analizuar kundërshtarin. Jam i lumtur që ndodhem në Budapest për herë të parë në jetën time. Natyrisht, unë nuk mund t’i injoroj rezultatet që nuk kanë qenë të mira, por puna jonë është të përgatitemi për ndeshjen e radhës, jo të qahemi. Atmosfera në ekip është më e mirë sesa ju mund ta mendoni”. Liverpuli jepet favorit për fitore, edhe pse luan jashtë fushe.

Sfidanti.al