Juve ka dyshen më të mirë të sulmit, por në vend të 6-të për golat!

Andrea Pirlo është një njeri që duhet të jetë i shqetësuar. Kjo qoftë edhe për forcë zakoni sepse kur je tek Juventusi nuk mund të kënaqesh me vendin e tretë, apo sepse je 5 deri në 8 pikë larg kreut. Natyrisht, llogaritë bëhen në fund, por llogaritë e deritanishme tregojnë se “Zonja e Vjetër” është në deficit me veten dhe me sezonin përsa i përket shënimit të golave deri në javën e 22-të të Serisë A (me një ndeshje më pak).

Problemi i madh duket në mesfushë, pikërisht në atë sektor që “mori në qafë” Mauricio Sarrin. Aty, kampionët nuk po gjejnë një identitet, ndërsa Kuadrado e Dibala janë të dëmtuar, Ramsej e Artur po ashtu, ndërsa Rabio nuk do të luajë në ndeshjen e ardhshme ndaj Krotones. Bernardeski, edhe pse luan prej 28 ndeshjesh, nuk po arrin të jetë vendimtar dhe as që të shënojë gol

Juventusi ka shënuar 41 gola në Serinë A, ndaj 54 të Interit, 49 të Atalantës, 47 të Romës, si dhe 45 të Milanit e Napolit. Kampionët kanë dyshen më të mirë shënuese të sezonit, Ronaldo-Morata me 36 gola gjithsej (21 në Serinë A), ndaj Lukaku-Lautaro të Interit me 35 gola gjithsej (27 në Serinë A), Muriel Zapat të Atalantës me 28 gola gjithsej (21 në Serinë A), Ibra-Kesi të Milanit me 23 gola gjithsej (21 në Serinë A), dhe Imobile-Kaisedo të Lacios me 24 gola gjithsej (18 në Serinë A).

Sfidanti.al