Gjigandi i mirë është marrë pikërisht për këtë punë, dhe me gjasë ai ndikon në ekip edhe më shumë sesa Kristiano Ronaldo apo Zllatan Ibrahimoviç. Romelu Lukaku ishte furia pas së cilës Interi u ngjit në krye të renditjes së Serisë A pas fitores 3-1 ndaj Lacios. Përtej polemikave që do të jenë për penalltinë e dhënë në favor të Lautaro Martinezit, zikaltërit e trajnerit Antonio Konte ishin pikërisht ashtu siç duhet të jetë një ekip që pretendon seriozisht për titull, të përfitojë nga rasti dhe të fitojë atëherë kur duhet.
Kjo “duhet” ishte pikërisht këtë mbrëmje pas humbjeve të Milanit e të Juventusit të shtunën dhe Interi e bëri detyrën. Lukaku shënoi dy gola (të parin me penallti) dhe shërbeu pasimin e golit të tretë shënuar nga Lautaro Martinez. Lacio u përgjigj deri në 1-2 me golin e Gonzalo Eskalantes. Konte nuk mendoi aspak për derbin e ardhshëm ndaj Milanit, sepse donte të fitonte ndeshjen dhe hodhi në fushë Bastonin, Barelën e Brozoviçin (treshja interiste BBB), që ishin të gjithë në rrezik pezullimi pasi u mjaftonte një i verdhë. Për fat, asnjëri prej tyre nuk u paralajmërua! Po ashtu, titullarë ishin Eriksen dhe Perishiç, ndërsa në mbrojtje ishin Shkriniar, De Vraj e Ashraf Hakimi. Pas tyre, në portë Handanoviç në ndeshjen e 500-të në Serinë A. Gjithçka përfundoi me sukses dhe Interi tani ka 50 pikë, një më shumë sesa Milani, ndërsa dy milanezet do të ndeshen të dielën në Derbin e Madoninës në Serinë A.
Sfidanti.al