Manchester United ngadalëson hapin në garën me Manchester City për titullin kampion të Premier League. Në ndeshjen e tij të javës së 24, Djajtë e Kuq nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 me skuadrën e vendit të parafundit në kampionat, West Bromwich Albion, një barazim ky që peshon më shumë se 1 huimbje duke parë 7 pikët e disavantazhit kundrejt Citizens.
Duke parë se skuadra e Guardiolës nuk po gabon, për Manchester United bëhet një detyrim mbajtja e hapit me Manchester City dhe si pasojë presioni është i madh. Por në ndeshjen me West Bromwich gjërat u komplikuan që në minutat e para kur Diagne ndëshkoi De Gean. Manchester United nuk zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer dhe vetëm në fundin e pjesës së parë vendosi ekuilibrin në rezultat me golin e Bruno Fernandes.
Nga Manchester United pritej më shumë dhe në pjesën e dytë, skuadra e Solskjaer në vend që të shtypte West Brom në gjysmëfushën e tij, e pati të vështirë të bëjë lojën e tij dhe disa herë rrezikoi të pësojë tjetër gol. Ndërsa në minutën e 95 shtylla ndali Maguire që të shënonte një gol që do t’i jepte fitoren. Në fund, Djajtë e Kuq morën vetëm 1 pikë duke barazuar Leicester në vendin e dytë.
Sfidanti.al