Murinjo e quante “rezultat hokeji”, por sfida Everton-Totenhem ishte për histori!

Në fund fitues doli futbolli. Ky ishte opinioni i përbashkët e gazetarëve, komentatorëve, analistëve dhe tifozëve (jashtë stadiumit) në përfundim të ndeshjes së Kupës së Anglisë, Everton-Totenhem në “Gudison Park”. Një reklamë për kupën dhe për futbollin anglez, u cilësua në BBC, por media publike britanike nuk mundi ta mbante veten pa shigjetuar Zhoze Murinjon për rezultatin 5-4. Evertoni e eleminoi skuadrën e trajnerit portugez pas kohës shtesë, ndërsa BBC kujton komentin e Zhozesë pas një ndeshjeje Arsenal-Totenhem në 2004 që doli po 5-4. “Pesë me katër nuk është rezultat futbolli, por hokeji, – shprehej atëherë ai për rivalët për titull, – në një ndeshje 3 kundër 3, nëse rezultati arrin 5-4 unë i dërgoj lojtarët në dhomat e zhveshjes sepse nuk po mbrojnë mirë. Në 11 ndaj 11, kjo është një fatkeqësi”.

E tillë ishte sipas Murinjos edhe ndeshja e Kupës, ku Spërsat e tij luajtë shumë mirë, edhe pse u eleminuan. Totenhemi mbajti topin 57 –për qind, gjuajti 29 herë drejt portës (17 Evertoni) dhe 12 në kuadrat (10 Evertoni), ndërsa kornet i pati në avantazh 15-2. Totenhemi shënoi me anë të Dejvidson Sançezit, veçse Evertoni përmbysi gjithçka me 3 gola në 7 minuta me anë të Kalvert-Ljuinit, Risharlisonit dhe Sigurdsonit. Lamela shkurtoi shifrat në sekondat e fundit të pjesës së parë ndërsa Sançez barazoi në nisje të së dytës. Risharlison realizoi përsëri, por Harri Kejn barazoi dhe ndeshja shkoi në shtesë, ku në 97’ realizoi Bernard.

Sfidanti.al