Dy ndër lojtarët e rëndësishëm nuk do të jenë në ndeshjen përfundimtare të këtij turneu. Leon Gorecka dhe Havi Martinez rezultuan pozitivë me koronavirus dhe nuk do të mund të llogariten për duelin e Bajernit ndaj Tigresit të Meksikës në finalen e Kupës së Botës për klubet. “Një mëkat sepse ata donin që të ishin me ne, – tha trajneri Hansi Flik, – gjithsesi, le të përgatiten në Mynih që të jenë gati për më vonë”.
Flik padyshim mbeti i kënaqur nga vazhdimësia e ekipit të tij, edhe pse Al Ahli ishte një kundërshtar relativisht i lehtë. Në 4 nga 5 ndeshjet e fundit, bavarezët nuk pësuan gol, dhe Manuel Nojer ishte thuajse pa punë. Për më tepër, Fliku aktivizoi Boatengun e Dejvisin në vend të Zyles e Hernandezit që luajtën ndaj Hertës të premten. Një paralajmërim ndoshta për Leroi Sanenë që u la fillimisht në stol në favor të të riut, Mark Roka.
“Ne e respektuam rolin tonë si favoritë dhe arritëm në finale në mënyrë të merituar, – tha Fliku, – në pjesën e parë patëm kontroll të plotë dhe mund të shënonim më shumë gola. Edhe pas pushimit ishim mirë, ndonëse nuk po arrinim ta mbyllnim ndeshjen. E kam ndjekur kundërshtarin e finales. Tigresi është skuadër shumë atletike dhe e meritoi, ndaj duhet të jemi të përgatitur siç duam. Nëse fitojmë titullin nesër, do të thotë se do të kemi mbyllur një sezon fantastik”.
Sfidanti.al