Liverpuli i përkulet Mançester Sitit të rekordeve!

Me 14 ndeshje radhazi në të gjithë konkurrimet, barazoi disa bëma të mëdha të së kaluarës. Mançester Siti nuk e ndali vrapin as në stadiumin e frikshëm “Anfild” përballë Liverpulit, duke bëë deklaratën më të fuqishme deri tani se është favorit për titullin kampion, një fitore 4-1. Djemtë e Pep Guardiolës barazuan rekordin anglez që mbahet nga Prestoni në 1892, pra në shekullin e 19-të, dhe nga Arsenali në 1987, ndërsa javën e ardhshme mund ta thyejë.

Kampionët në fuqi u detyruan të përkuleshin përpara atyre që mund të jenë kampionët e ardhshëm, ndonëse statistikat e ndeshjes nuk ta japin përshtypjen e një diference. Siti u tregua i pamëshirshëm sepse shënoi 4 gola me 5 gjuajtje në kuadrat, ndërsa gjuajtjet drejt portës ishin barazim, nga 8. Po ashtu, vendasit patën 6 goditje nga këndi ndaj vetëm 1 të miqve. Gjithsesi, rezultati ishte 1-4.

Edhe pse humbi penalltinë në pjesën e parë, edhe pse u barazua shpejt pasi Gyndogan e kaloi në avantazh, sërish skuadra e Guardiolës nuk e humbi besimin në vetvete, dhe vazhdoi sikur të mos kishte ndodhur gjë. Sërish Gyndogan, e më pas Rahim Stërling dhe Fil Foden shënuan golat e tjerë. Foden u bë lojtari më i ri që shënon dhe asiston në “Anfild” ndaj Liverpulit në Premier Ligë. Mançester Siti kryeson kampionatin me 50 pikë ndaj 45 të Mançester Junajtidit, ndërsa Liverpuli mbeti me 40 pikë.

Sfidanti.al