Le të themi se është futboll dhe se këto gjëra ndodhin. Një rezultat 3-3 kur shifrat kanë qenë më parë 3-0, nuk është më një sakrilegj as në Serinë A, dikur tepër konservatore, ndërsa Atalanta e Torino luajtën një ndeshje të madhe në Bergamo. Vendasit kryesuan 3-0 për vetëm 21 minuta me golat e Iliçiçit, Gosensit e Murielit, por kur u mendua goleada erdhi e papritura.
Miqtë reaguan si dikur Torino e Madhe, mediat italiane t theksuan qartë këtë, duke marrë barazimin e merituar. Dy gola gjithashtu në pjesën e parë, me Belotin e Bremerin dhe pas pushimit me Bonacolin. Në stadiumin “Atleti d’Italia” u dha një spektakël që e bëri edhe më të ndjeshme mungesën e tifozëve që do ta kishin shijuar padyshim. Të dyja skuadrat goditën nga një herë shtyllën, ndërsa trajnerit Gasperini nuk i bëri punë hedhja në fushë e Berat Gjimshitit në nisje të pjesës së dytë. Atalanta, në vendin e gjashtë, humbi shansin për t’u afruar me vendet e para dhe ka 37 pikë në 21 ndeshje, ndaj 37 të Lacios në 20 dhe po kaq të Napolit që ka luajtur vetëm 19 ndeshje. Ndoshta, bergamaskët ndjenë ngarkesën sezonale edhe sepse luajtën në mesjavë gjysmëfinalen e pare të Kupës së Italisë në fushën e Napolit.
Sfidanti.al